Takim mbi Planin e Menaxhimit të Parkut Kombëtar të Alpeve, Projekti ECRAN
Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura si dhe grupet e interesit zhvilluan një takim për hartimin e Planit të Menaxhimit të Parkut Kombëtar të Alpeve, i cili u mbajt në datën 10 nëntor dhe do të vazhdoj deri më 12 nëntor 2 015. Shqipëria është palë përfituese në Projektin ECRAN të financuar nga BE nëpërmjet instrumentit TAIEX.
Një nga detyrat e ECRAN është dhe përgatitja e një Plani Menaxhimi për një Park Kombëtar me sipërfaqe të gjerë. Shqipëria nëpërmjet Ministrisë së Mjedisit dhe AKZM është në proces të shpalljes së Parkut Kombëtar të Alpeve të Shqipërisë dhe për këtë Park Kombëtar, që në vitin 2014 ka filluar procesi i hartimit të planit të menaxhimit me përfshirjen e gjithë palëve të interesuara si pushteti qendror, lokal, banore, biznese e OJF.
“Jemi duke lidhur një kontrat me komunitetin lokal, sepse marrim dhe mendimin e tyre për çdo hap që hedhim, pasi Parku i Alpeve përfshin 2 qarqe të mëdha. Ne mendojmë të sjellim në këtë takim të gjitha elementet që duhen për një menaxhim më të mirë të Parkut Kombëtar të Alpeve. Kjo do të bëjë, që të hartojmë disa politika më të mira në mbrojtje të natyrës dhe jo në shfrytëzim të saj. Ministria e Mjedisit ka dërguar ekspertë në terren, të cilët kanë nevojë për mendimin tuaj”, theksoi Zamir Dedej, Drejtori i AKZM.
Në këtë takim u paraqitën rezultatet e takimeve të mëparshme, u prezantuan rezultatet e procesit të zonimit, u hartuan objektivat specifike. Gjithashtu, po punohet për përcaktimin e veprimeve strategjike të menaxhimit për secilën prej zonave të menaxhimit si dhe po hartohet një listë më e detajuar e aktiviteteve të ndaluara.
Në këtë workshop morën pjesë dy ekspertët e projektit ECRAN, Znj. Elisabeth Samec dhe Z.Michael Hošek, të cilët janë përgjegjës për pjesën e përfshirjes së gjithë palëve të interesuara në hartimin e Planit të Menaxhimit. Gjithashtu, të pranishëm ishin dhe të ftuar nga dy shtetet fqinje që ndajnë kufi me Parkun Kombëtar të Alpeve të Shqipërisë, përkatësisht nga Mali i Zi e Kosova. Gjatë takimit diskutoi grupi i punës, i cili po punon me shkrimin e hartimin e këtij plani menaxhimi të financuar nga projekti IPA 2013 “Natura 2000” si dhe përfaqësues nga pushteti lokal, qëndror, OJF, banorë e përfaqësues të bizneseve që operojnë në zonën e Alpeve të Shqipërisë.
No comments: