Lajmet e fundit
recent

Parku Arkeologjik i Bylisit

Është një park me rrënoja arkeologjike që përfaqësojnë rënien e një qytetërimi të hershëm Ilir.

Qyteti Ilir i Bylist i vendosur në pllajën e një kodre pran fshatit të sotëm Hekal,dikur shtrihej në një sipërfaqe prej 30 ha e cila mbrohej nga një mur rrethues me gjatësi 2.2 km, gjerësi 3.5 m dhe lartësi 8-9 m i cili ende sot ruhet relativisht mirë.

Muri rrethues ishte pajisur me hyrje dhe kulla të shumta mbrojtëse.

Kjo sipërfaqe ishte e ndarë në tre zona kryesore si: ajo për banim, që e ndeshim në pjesët lindore dhe perëndimore të qytetit, me një sipërfaqe prej 20 ha, në të cilat janë gjetur një sërë shtëpish banimi. Zona e dytë është ajo e Agorasë që ishte tregu dhe sheshi kryesor i Bylisit, në të cilin ndodheshin teatri, stoat, (shëtitorja e vogël dhe ajo në formë L-je), gjimnazi, prytaneoni, stadiumi, etj.

Stadiumi i Bylisit me një gjatësi prej 190 m është stadium i dytë i ruajtur më mirë në vendin tonë, krahas atij të Amantias. Sot prej tij ruhen 19 shkallë të ndërtuara me blloqe prej guri gëlqeror. Nën pistën e pjesës jugore ndodhej një sterë për grumbullimin e ujit me një thellësi prej 6 m, e cila mbulohej me harqe guri. Kanalet e shumta të ujit përreth saj dëshmojnë se si grumbullohej uji në të. Fare pranë saj u ndërtua monumenti më i rëndësishëm kulturor i Bylisit, siç ishte teatri me kapacitet prej 8000 vendesh. I vendosur në shpinë të kodrës ai përbëhej nga 40 shkallare, diametri i së cilës arrinte gjatësinë prej 78 m. Sot prej tij ruhen bazamentet e orkestrës, skenës, proskenës, muret mbajtëse dhe disa ndenjëse prej guri, në të cilat uleshin njerëzit më të shquar të qytetit. Me blloqet e gurëve të tij u ndërtuan gjatë mesjetës së hershme muret bizantine, të cilat vihen re tek kulla jugore dhe terma e Justinianit.

Nga agoraja antike kanë mbetur edhe bazamentet e stoas së teatrit dhe stoa e madhe. Të dyja këto ndërtime ishin të tipit monumental dhe u ndërtuan me dy kate. Edhe sot vizitori mund të dallojë qartë bazamentet e trarëve të gurtë që mbanin dyshemenë e katit të dytë. Në pjesën perëndimore të stoas së teatrit gjendet një nga portat e qytetit, të cilën arkeologët e kanë quajtur porta nr 5-së. Me gjatësi 7 m dhe gjerësi 3 m, në të dallohet qartë mbishkrimi i periudhës romake, i cili përkthehet:” Augusti, bir i perandorit, Çezarit të hyjnueshëm” dhe “Colonia Iulia Augusta”.

Të tjera monumente me të cilat ndesh syri i vizitorit janë edhe prytaneoni, ndërtesa ku ndodhej selia e funksionarit më të lartë të qytetit; arsenali, një ndërtesë nëntokësore ku ruheshin armët e forcave të armatosura; tempulli i kultit të perandorit romak, ku ai nderohej duke u njehsuar njëlloj si perënditë, gjimnazi dhe termat.

Pjesa e tretë e Bylisit shtrihej në anën juglindore të tij dhe shërbente për strehimin e popullsisë në rast lufte. Kjo pjesë me sipërfaqe prej 6 ha u quajt “euhorion” dhe në të nuk u bënë ndërtime. Qyteti u ndërtua njëlloj si Apolonia dhe Nikaja në bazë të planit arkitektonik të Hipodamnit. Edhe këtu u krijuan blloqe kuadratike banesash që ndërpriteshin nga rrugë të drejta.

Bylisi është nje nga qendrat më të rëndësishme arkeologjike të Shqipërisë, renditur për vlerat monumentale, krahas Apolonisë dhe Butrintit. Në se Apolonia tërheq vizitorin me butësinë e saj, Butrinti me natyrën ekzotike, Bylisi me pozitën zotëruese mbi kodrat e Mallakastrës dhe mbi hapësirën e luginës së Vjosës që ofron një pamje krejt të veçantë në krahasim me qytetet e Antikitetit Klasik.

I pari qe identifikoi Bylisin në rrenojat e Gradishtes së Hekalit ishte udhetari anglez H. Holland. Në librin e tij botuar në Londer më 1815, ai pershkruan muret rrethuese të qytetit, gjurmë të ndërtimeve publike dhe mbishkrimin latin të skalitur në shkëmb.

Bazilika e Ballshit


Një ndër bazilikat më të rëndësime është sigurisht Bazilika e Ballshit, e cila për një kohë të caktuar ka qenë qendra më e rëndësishme e antikitetit të vonë dhe e mesjetës në Episkopatën e Gllavenicës.

Bazilika ka qenë kishë manastiri, së cilës kohë pas kohe i janë shtuar mjedise ndihmëse. Fillimisht bazilika është ndërtuar në shekullin VI dhe ka pasur dy faza rindërtimesh, në shekullin XI dhe në shekullin XII.

Janë gjetur tri mbishkrime gjetur në Manastirin e Shën Mërisë në Ballsh, të cilat njihen si “Mbishkrimet e Viktorinit”.

Kuptimi i këtij mbishkrimi është:

-Pakatianoi duke iu lutur Zotit së bashku me gruan e tij Aglaia dhe të bijën Pakta, ia kushtojnë këtë kishë Shën Andreas. Gjithashtu si materiale ndërtimi janë përdorur shtylla me mbishkrimin e kthimit të mbretit Boris në krishterim (Shek. IX) dhe epitafit të Robert de Monteforte (Shek. XII), si edhe mbishkrimet e Viktorinit. Katër blloqet me mbishkrime paleokristiane janë sjellë nga Bylisi në Ballsh për t’u përdorur thjesht si gurë ndërtimi. Mbishkrimet e skalitura në gur janë zbuluar nga arkeologu Skënder Anamali gjatë gërmimeve të viteve 1975-1983. Përmbajtja e tyre është:

  1. O i huaj, mos hiq shikimin tënd nga bukuria e Bylisit, në muret rrethuese, dikur krejt të rrënuara, tani na i rindërtoi Viktorini guximtar. 2. Me providencën e Perëndisë dhe të Hyjlindëses Virgjëreshë, duke i shërbyer drejt qëllimit e mënyrave të veprimit të Justinianit, sundimtarit shumë të fuqishëm që ngriti kështjellat e Myrisë, Skythisë e territorit të Ilirikut, si dhe të Trakisë, vetë Viktorini njeri me aftësi strategjike i ndërtoi me përvuajtëri e devocion muret rrethuese të Bylisit.
  2. S’ankohem më e nga barbarët s’kam frikë, sepse gjeta te Viktorini i Madh një që më ndërtoi me duart e tij.
  3. Kurrë s’do t’u dorëzohet hendeqeve të harrimit, emri i Justinianit shumë të fuqishëm, as koha e gjatë e pallogaritshme, duke ikur, s’do t’i mbulojë dot mundimet e Viktorinit, virtytet e të cilit janë ngritur lart me mburrje.



Çfarë është epitafi i Glavenicës?

Janë vetëm tri epitafe në botë që kanë bukuri dhe vlerë të pakrahasueshme, një prej tyre është shqiptar, i quajtur ndryshe “Epitafi i Gllavenicës”, i cili thuhet se është krijuar nga Gjergj Arianiti, stërgjyshi i gruas së Skënderbeut, Donikës. Ky objekt i rrallë, i vitit 1373, në qendër të të cilit konturohet trupi i Krishtit të vdekur, shtrirë mbi një çarçaf, rrethuar nga shenjtorë, serafinë e engjëj, përbënte një mister për studiuesit, të cilët kanë qenë të interesuar të zbulojnë diçka më shumë rreth historisë së krijimit të tij, por edhe të realizimit. Epitafi i Gllavenicës është një nga objektet më të rëndësishme që trashëgon Shqipëria nga Mesjeta, një brilant historie e teknologjie.

Kjo vepër është vjedhur në vitin 1995 dhe u rigjet një vit më vonë e që tani ruhet në Muzeun Historik Kombëtar. Ka një larmi ngjyrash, dritë–hijesh, madje dhe një pikë imagjinare drite, e cila i jep jetë gjithë epitafin dhe gjithë pjesët përbërëse për një moment të duket sikur i japin atij një vezullim gati qiellor.


Përsa i përket moshës dhe deri diku krijuesit të tij, flet vetë epitafi. Mbi të është shkruar:

“U plotësua (u qëndis) ky areas (epitaf) i gjithënderuar dhe i hyjshëm i së mbishenjtës Hyjëlindëse të patundur, me shpenzimin dhe mundimin e episkopit të gjithëhirshëm Kalisit të Gllavenicës dhe Beratit në muajin mars 22, viti 6881 (1373). Ti që zotëron jetën, ah! Si (je) trup i vdekur pa frymë. Në kohën e zotërimit të zotërijve të shumëlartë të Serbisë, Rumanisë dhe gjithë Albanit dhe vëllezërve Gjergjit dhe Ballshës. Dora e Gjergj Arianitit dhe arëqëndisësit”.

No comments:

Powered by Blogger.